Vazhdimësia e administrimit përtej ndryshimit të administratorit
Komuniteti Team

Shpesh e marrim të mirëqenë se pagesat e kryera, faturat, kontratat dhe dokumentet që lidhen me pronën janë regjistruar diku. Kur na nevojitet një mandat pagese, një kopje kontrate ose informacion për një shpenzim të mëparshëm, i drejtohemi administratorit me mirëbesimin se të dhënat janë ruajtur dhe mund të verifikohen.
Administratori mban një pjesë të rëndësishme të historikut të ndërtesës, nga dokumentacioni financiar deri te çështjet që janë trajtuar ose vazhdojnë të jenë të hapura. Ky informacion mund të nevojitet në çdo moment dhe duhet të mbetet i aksesueshëm pavarësisht ndryshimeve në administrim.
Transferimi i informacionit dhe përgjegjësive te administratori pasardhës
Kur administratori largohet nga detyra, informacioni i krijuar gjatë periudhës së administrimit duhet t’i kalojë personit që merr përgjegjësinë. Ky transferim nuk përfshin vetëm dorëzimin e dokumenteve, por edhe njohjen me çështjet që vazhdojnë të jenë aktive dhe me veprimet e kryera deri në atë moment.
Megjithatë, administratori i ri nuk e gjen gjithmonë informacionin në një formë të plotë dhe të kuptueshme. Komunikimet mund të jenë zhvilluar nga numri privat i administratorit të mëparshëm, pagesat mund të jenë regjistruar në tabela të ndryshme, ndërsa dokumentet mund të jenë ruajtur në dosje fizike ose në pajisje ku nuk ka më akses. Edhe kur materialet dorëzohen, mënyra e ndryshme e emërtimit dhe organizimit të tyre e vështirëson dallimin mes informacionit të përditësuar dhe dokumenteve që nuk janë më të vlefshme.
Komunikimet e shpërndara në disa aplikacione
Kur të dhënat dhe dokumentet ruhen në aplikacione ose skedarë të ndryshëm, pas ndryshimit në administrim ato duhet të mblidhen dhe të verifikohen një nga një. Në disa raste, nuk dihet ku ndodhet informacioni i nevojshëm, kush e ka ruajtur apo cili version i dokumentit është përditësuar së fundmi.
Mund të dihet se ekziston një problematikë apo se është kryer një pagesë, por të mungojnë të dhënat që tregojnë çfarë është bërë më parë. Si rezultat, disa çështje duhet të verifikohen përsëri, ndërsa rezidentëve mund t’u kërkohet të paraqesin dokumente ose konfirmime që i kanë dorëzuar më herët. Kjo vështirësi bëhet më e dukshme në ndërtesat me shumë njësi, ku çdo muaj shtohen pagesa, fatura dhe dokumente të reja që duhet të ruhen dhe të përditësohen.
Rëndësia e dokumentimit për verifikimin e pagesave
Rëndësia e kësaj teme bëhet më e dukshme kur lind nevoja të verifikohet një pagesë ose një detyrim i mëparshëm. Kur regjistrimi përkatës nuk është i disponueshëm, rezidentit mund t’i kërkohet të provojë se pagesa është kryer, edhe pse dokumentimi i saj duhet të jetë pjesë e administrimit.Pa të dhëna të verifikueshme, lind pasiguri mbi detyrimet dhe mund të kërkohet përsëritja e një pagese të kryer më parë.
Akses në të dhënat e ndërtesës për vazhdimësinë e administrimit
Pagesat, dokumentet dhe çështjet e trajtuara më parë mbeten të aksesueshme edhe pas ndryshimit në administrim. Komuniteti i regjistron këto të dhëna në platformë, në mënyrë që kalimi i përgjegjësive administrative të mbështetet mbi informacionin ekzistues.
Etiketat: